Ballina Lajme Arrestimi i shqiptarit, bujë në Angli. Policia ngatërron çajin e malit me...

Arrestimi i shqiptarit, bujë në Angli. Policia ngatërron çajin e malit me kanabisin

1

Një shqiptar është shoqëruar nga policia britanike pas dyshimeve se merrej me kultivimin dhe transportin e kanabisit.

Agim Agaj, 53 vjeç, thotë se u kontrollua dhe u mbajt në paraburgim për 15 orë, pasi policia ngatërroi çajin e malit që ndodhej në furgonin e tij me bimë narkotike.

Oficerët menduan se bimët që ishin të futura në tasa të mëdhenj plastik ishin mariuhanë.

Padrejtësisht ata e morën shqiptarin dhe e futën në qeli për posedim të lëndëve narkotike.

The Sun shkruan se pas verifikimeve të kryera, oficerët zbuluan se furgoni i 53-vjeçarit ishte i mbushur me çaj mali, një çaj shqiptar jo fort i njohur për ta.

Agimi tha për The Sun: “Ishin dy policë. Njëri hapi derën e furgonit dhe pa se kisha një enë të madhe plastike. Ai i tha policit tjetër: ‘Ka marihuanë!’ “Unë thashë, ‘Kjo nuk është drogë. Është çaj mali!’ Ata nuk më besuan dhe më arrestuan”, tha ai.

Agimi u mbajt në qeli të shtunën mbrëma, në Weymouth, Dorset, dhe u intervistua të nesërmen para se të lirohej pa akuzë sepse nuk kishte prova.

Ai pretendoi se oficerët kontrolluan gjithashtu banesën e tij dhe banesën e një miku të afërt, por nuk gjetën asgjë.

Agimi, i cili pi çdo ditë çajin tradicional shqiptar, tha se nuk e dinte pse e ndaluan dhe shtoi: “Nuk jam arrestuar kurrë. Ishte e frikshme.”