Arrestimi i nënës lehonë ka nxitur debate të forta në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. Ka qenë deputetja demokrate Dhurata Çupi ajo e cila ka kërkuar debat me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, lidhur me këtë çështje. Deputetja e PD, Albana Vokshi e ka konsideruar si të rëndë deklaratën e Klotilda Bushkës se po merren masat e duhura në lidhje me këtë ccështje, duke u shprehur se arrestimi i nënën lehonë për gjoba të papaguara nuk është rast sporadik. Vokshi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm nga burgi i nënës lehonë.
“Është e rëndë të thuash është ngjarje sporadike dhe ne të presim sa komisioni ligjeve të marrë vendimin e duhur. Spiropali të ishte çuar dhe të kërkohej diskutimi për nënën lehonë që ka lënë fëmijën 7-ditëshe. Një mbesë ka braktisur shkollën për tu kujdesur për foshnjën”, tha Vokshi.
Pas deklaratave të deputetëve të opozitës, fjalën e ka marrë Ministrja Elisa Spiropali e cila ripërsëriti thirrjen për lirimin e menjëhershëm të nënës lehonë, duke u shprehur se padrejtësisë sistemike duhen trajtuar me ligje.
“Dua të them këtu, reagova dje që Djana duhet liruar menjëherë, gjykatësi që ka marrë kërkesën duhet ta lirojë sot, jo nesër. Unë nuk kuptoj se cili prokuror, cila gjykatë arreston, kërkon ndërrimin e gjobës me burg për një nënë lehonë. Duhet që institucionet si ILD dhe Këshilli i lartë i gjyqësorit të përshpejtojë procedurat që ajo grua të dalë nga burgu dhe të shkojë pranë fëmijës së saj.
Kam folur me avokatin e zonjës, jam në komunikim, gjykatësi duhet ta lirojë dhe institucionet e reja të drejtësisë duhet të bëjë një analizë për padrejtësisë sistemike, sepse është e vërtetë që gratë mbahen më shumë në burg, ndërkohë që burrat që ju marrin jetën grave dalin nga burgu. Kjo padrejtësisë sistemike duhet adresuar me ligje, me kontroll parlamentar dhe me ndërgjegje të atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksoi Spiropali.
/rtsh.al/