Në kuadër të takimeve elektorale ekipi i Partisë Socialiste ka ndaluar në Mbrostar Ura ku kanë bashkëbiseduar me banorët e këtij fshati. Në fjalën e tij kryebashkiaku Armando Subashi ka bërë një pasqyrë të punëve të kryera gjatë këtyre viteve, por edhe ka shpalosur investimet që do të kryhen në vijim.
“Nëse i thërrasim kujtesës se si e gjetëm njësinë tuaj kur u krijua bashkia e re dhe e madhe në 2015, ku pothuaj në çdo fshat kishim probleme madhore, këtu në njësinë tuaj problemet ishin dyfish të vështira, pasi për disa mandate kjo komunë ishte drejtuar nga kundërshtarët tanë politikë, dhe shembulli më tipik i abuzimeve është kanalizimi i ujërave të zeza në Mbrostar, sesi u katandis dhe çfarë u bë me gjithë atë investim, por edhe kur kjo komunë u fitua nga socialistët nuk kishte sesi të mbështetej me financime, sepse qeverisja e Sali Berishës nuk e pranonin dhe u dukej e pabesueshme, që këtu fitoi Partia Socialiste. Dhe nga këto vit pas viti u akumuluan problemet që kërkonin zgjidhje.”, tha ai.
Në bilancin e punës në këtë bashki numërohet investimi në drejtim të unazës bujqësore që duke lidhur Kallmin e Vogël me Ishtmin, Bubullimën e duke dalë në Verri të cilat jo vetëm kanë ndikuar në cilësinë e jetës së banorëve, por kanë sjellë edhe përfitime ekonomike pasi është hapur një portë e madhe ekonomike si në drejtim të rritjes së prodhimit, por edhe afrimin e grumbulluesve të prodhimeve bujqësore. Një tjetër investim ka qenë ai i kryer në bashkëpunim më TAP-in për ujësjellësit në fshatrat kryesore ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e ujësjellësve në brendësi të çdo fshati.
Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative për t’u investuar.
Ai është ndaluar në zgjidhjen e problemit të ujërave të bardha dhe të zeza dhe pavarësisht ndërhyrjeve nuk është bërë zgjidhja totale.
“Së dyti, Mbrostari duhet trajtuar si lagje e qytetit, ndaj investimet në brendësi të tij duhet të jenë sa më cilësore dhe me parametra të njëjta me atë të qytetit të Fierit. Do të ngremë një grup të hartimin e një masterplani për zhvillimin e Mbrostar Urës.”, ka parashtruar Subashi. Ndërkohë ai ka hedhur idenë e krijimit të një qendre të mirëfilltë për fshatin duke premtuar ngritjen një grupi pune për të studiuar mundësinë e zhvillimit të saj në funksion të komunitetit, por dhe organizimin e takime artistike, etj.
Subashi është ndalur në investimin në shkollën e Mbrostarit në bashkëfinancim me Ministrinë e Arsimit një rikonstruksion të plotë dhe të fitohen ato standarde që ne janw aplikuar në gjithë këto vite në godinat arsimore të bashkisë së Fierit, por edhe atë të ndriçimit publik.
Një tjetër investim do të jetë te fusha e Vërrisë, i ndërtimit të dy terrene sportive në bashkëpunim me Federatën e Futbollit, pasi është fat i madh që kjo sipërfaqe nuk është prekur.
Sipas tij një rëndësi do të marrw kodra e Vajkanit për tarracimin dhe pyllëzimin e asaj zone me Ministria e Mjedisit duke e lidhur me strategjinë që kjo bashi ka për turizmin ku synohet zhvillimi i turizmit të shtigjeve natyrore nga kodra e Vajkanit deri në Ardenicë si pjesë e paketës së madhe turistike.
Subashi ka kërkuar mbështetjen e banorëve për të vazhduar rrugën e transformimeve, por edhe për të siguruar mandatin e katërt të kryeministrit Edi Rama dhe të Partisë Socialiste.
I pranishëm në këtë takim përfaqësues politik, deputeti Taulant Balla ka përmendur punët e mira që janë bërë në bashkinë e Fierit, duke përmendur faktin që në këtë bashki janë kryer punët në mënyrë të planifikuar duke qenë kështu një model në gjithë vendin.
Në fjalën e tij Balla ka vlerësuar faktin që punë të mëdha po zhvillohen në qytetin e Fierit, ashtu si punë të mëdha po zhvillohen në çdo njësi administrative në drejtim të zhvillimit të bujqësisë ai ka shprehur bindjen që me këto ritme së shpejti Fieri dhe Mbrostari do të jenë një.
Duke u ndaluar në aspektin politik Balla pa shprehur mirënjohjen për banorët e kësaj njësie administrative që kanë mbështetur PS, ashtu si do të jenë pararojë në zgjedhjet e 14 majit.