Libofsha, Cakrani dhe Pojani janë tre fshatra të përfshira në projektin kombëtar të “100 fshatrave” pasi ato janë të rëndësishme si nga pikëpamja historike, traditave kulturore dhe më gjerë në bashkinë e Fierit, por kanë dhe potenciale zhvillimi të fuqishme me peshë sa në rajon, por edhe në aspektin kombëtare. Kështu është shprehur kryetari Armando Subashi gjatë takimit me banorët e fshatit Libofshë.
Sipas tij është punuar me këtë logjikë duke investuar së pari në qendrën e Libofshës dhe ajo çfarë parashikon projekti nuk ka dallim nga zbatimi i projekteve në qytetin e Fierit. Me përfundim të këtij investimi do të sigurohet një shesh social që do ta kthejë Libofshën në qendër të rëndësishme social-kulturore për komunitetin e kësaj njësie dhe më gjerë.
Subashi ka parashtruar dhe disa detaje të tjera të këtij projekti që lidhen me rehabilitimin e rikonstruksionin e fasadave të godinave, bërjen e ndriçimit dhe gjelbërimit. Ai ka parashtruar fillimin e investimit të kanalizimit të ujërave të zeza, uji i pijshëm dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të Libofshës përmes 700 milionë lekë të vjetra nga FSHZH shtuar këtu dhe punët e bëra me buxhetin e bashkisë së Fierit. Fshatrat e kësaj njësie, ka theksuar Subashi, nuk do të mbeten jashtë vëmendjes, po janë ndërtuar një sërë projektesh në kuadër kësaj strategjie. Ai ka renditur një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore nga Manastiri i Ardenicës deri Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë dhe mandej duke shkuar drejt kishës së Shën Kozmait. Sipas Subashit rruga Ardenicë-Libofshë ka një rëndësi dyfishe si për qarkullimin e banorëve drejt Tiranës, por edhe në funksion të zhvillimit të turizmit në këtë zonë.
Për Subashin në të ardhmen turizmi dhe bujqësia janë dy nga potencialet që do t’i sjellin zhvillim ekonomik bashkisë së Fierit dhe komunitetit të saj. Me një vizion të qartë tashmë bashkia e Fierit do të punojë dhe në drejtim të turizmit duke pasur fatin e mirë që vija bregdetare me gjatësi mbi 25 km i ka shpëtuar abuzimeve me ndërtimet. Për këtë qëllim është filluar hartimi i një masterplan për zhvillimin e bregdetit i cili së bashku me turizmin kulturor do ta shndërrojë Fierin në një ndër destinacionet turistike të lakmuara nga vizitorët sa vendas dhe të huaj. Bregdeti i Hasturkasit do të njohë një zhvillim me ndërtimin e rrugës që të çon drejt tij, por që përmban disa probleme për shkak të nivelit të saj në disa pjesë nën nivelin e detit dhe sjellë përmbytje. Për këtë qëllim po punohet për hartimin e një projekti që të shmangë këtë problem.
Ai është ndalur dhe në investimet e tjera në Hastrukas për fillimin e zbatimit të projektit të trotuareve në të dy anët e rrugës së asfaltuar, si modeli i realizuar në Ndërnesas. I njëjti investim do të kryhet nga kthesa e Agimit deri në qendër të fshatit. Për Subashin do të vazhdohet puna në rrugët e brendshme të fshatrave, ndriçim, kanalizime, pastrim dhe shkolla si në çdo ditë tjetër e punës së kësaj bashkie. NË këtë takim është kërkuar jo vetëm vota për Subashin, por edhe për Partinë Socialiste, që të sigurohet shumica e anëtarëve të këshillit bashkiak, por edhe paraprirë fitores së mandatit të katër të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.