Amnistia Penale pritet të miratohet javës së ardhshme, pas një dakordësimi mes mazhorancës dhe opozitës për të pranuar kërkesën për faljen e 100 protestuesve nga 2018 deri në 2020. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se ka një qasje pozitive ndaj propozimit për lirimin nga akuzat të protestuesve që janë në ndjekje penale apo proces gjyqësor.
“Ne do ta përmbyllim javën që vjen këtë draft në Komisionin e Ligjeve e pastaj për seancën plenare ku do të duhet të sigurohet konsensusi i nevojshëm prej 84 votash me qëllim që amnistia të kalojë dhe të zbatohet menjëherë. Për disa nga propozimet që ka bërë opozita kemi qasje pozitive.”
Manja foli edhe për ekstradimet e shqiptarëve të ndaluar jashtë vendit. Sipas tij, një pjesë e tyre nuk kanë mbërritur në Shqipëri, për shkak të procedurave që ndjekin vendet përkatëse.
“Dua ta bëj të qartë për opinionin publik, se ekstradimi i ketyre personave është domain, i Ministrisë së Drejtësisë, ka një procedurë të caktuar ekstradimi. Ju e dini që ne jemi palë në konventën europiane të ekstradimeve. Finalizimi i këtij procesi, i këtyre personave që arrestohen, është punë mirëfilli e Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë së përgjithshme dhe SPAK. Çdo process do kohën e vetë, mos u çudisni që janë arrestuar me qëllim ekstadimi, dhe ekstradimi nuk ka ndodhur ende.”
Ministri i Drejtësisë mori pjesë në një tryezë diskutimi me bizneset në kuadër të javës kombëtare ndërgjegjësuese në mbrojtje të viktimave të krimit. Nga data 15 deri në 22 shkurt, në vijim do të jetë një javë ndërgjegjësuese për mbrojtjen e viktimave të krimit.
Klan News