Sulmi ndaj personelit të sigurisë në Top Channel, duke lënë të vdekur njërin prej anëtarëve, ka tronditur opinionin publik.
Përmes një deklarate për shtyp, Autoriteti Mediave Audiovizive ka dënuar ngjarjen kriminale, duke theksuar se “goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit”.
AMA i shpreh ngushëllime familjes së Pal Kolës, ndërsa u bën thirrje organeve ligj zbatuese që autorët të vihen para drejtësisë.‘Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit.
AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira.
AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më pare të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore’– thuhet në njoftimin e AMA.
Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.
Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.
Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.
Top Channel