Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar këtë të enjte një takim në Bruksel me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Kurti kërkoi nga shefi i NATO-s anëtarësimin e Kosovës në aleancën euro-atlantike.
Gjatë fjalës së tij ai shtoi se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën
“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo operacion të NATO-s, me të gjitha kapacitetet tona”.
“Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e mirëpret besimin dhe përkushtimin tuaj për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ndërkaq sekretari Stoltenberg ripërsëriti deklaratën se NATO është e gatshme të ndërhyjë në rastin e një rreziku të mundshëm në Kosovë.
“Veprimet tona do të jenë të matura, dhe do të bëjmë çdo gjë që do të jetë e mundur për të mundësuar që të mos ketë përshkallëzim të situatës në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet përmes dialogut.
“Unë e mirëpres që situata në terren është përmirësuar, por duhet të shmangim çdo përshkallëzim. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përmbajtje. Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen përmes dialogut politik”.