Një aksion për kapjen e Florenc Çapjas , ka rezultuar me zbulimin e një makine të vjedhur, 2 targave të vjedhura, municione luftarake si dhe një kapele policie në një servis.
Sipas policisë është zhvilluar një aksion në lagjen Emin Matraxhiu, në servisin në pronësi të shtetasit Fejzullah Çapja, 64 vjeç, me qëllim kapjen e personit të kërkuar Florenc Çapja. (djali i 64-vjeçarit).
Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e babait të shtetasit të kërkuar Florenc Çapja, u gjetën një automjet tip “Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më datë 18.04.2019.
Në brendësi të automjetit u gjetën 2 targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29.06.2020, fishekë luftarakë dhe 1 aparat celular.
Ndërsa në ambientet e servisit, shërbimet e Policisë gjetën një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.
Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të servisit, shtetasit Fejzullah Çapja, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e 64-vjeçarit.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe SPAK, vijon puna për dokumentimin e veprave penale të grupeve kriminale.