Trupat e shtatë prej viktimave nga përplasja tragjike e dy trenave në Greqi janë djegur plotësisht.
Mediat greke shkruajnë se për identifikimin e tyre do duhet bërë testimi i ADN-së. Aktualisht ata ndodhen në morgun e përgjithshëm të Larisës, zonës ku ndodhi aksidenti.
Shefja e Shërbimit Mjekësor të Larisës, Rubin Leontari tha se “transferimi i trupave po vazhdon”.
“7 trupa janë karbonizuar. Procesi i identifikimi nuk ka filluar ende. Ky është një proces i mundimshëm që kërkon kohë. Disa trupa kanë nevojë për testin e ADN-së ne mënyrë që të bëhet identifikimi i tyre”, tha ajo në një intervistë për mediat greke.
Pjesa më e madhe e trupave të karbonizuar janë të rinj, por mes tyre nuk është gjetur asnjë fëmijë. Autoritete greke besojnë se numri i viktimave ka gjasa të rritet.
Deri më tani janë regjistruar 38 viktima nga pëplasja ‘kokë më kokë’ e dy trenave në Larisa të Greqisë.
(BalkanWeb)