Kandidati për kryetar të Bashkisë Mallakastër në zgjedhjet e 14 majit, Agron Kapllanaj vijon takimet e tij me banorët e çdo zonë të Mallakastrës. Në takimin me banorët e fshatrave Gjerbës dhe Kapaj, Kapllanaj është shprehur se jetesa e njerëzve është vështirësuar për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e pushtetit, ndërsa ka shtuar se mungesa e investimeve ka sjellë varfëri dhe shpopullim masiv.
Kandidati i Partisë Demokratike ka thënë se ndryshimi është emergjencë dhe në njësitë administrative të Mallakastrës do të rikthehen investimet, për të ndërtuar rrugët, dhe garantuar ujin e pijshëm. Duke thënë se është jetike mbështetja për bujqësinë, Kapllanaj ka risjellë edhe njëherë në vëmendje investimet e rëndësishme që janë bërë kur ai ishte kryetar i bashkisë. Agron Kapllanaj u premtoi banorëve se ka plane konkrete për zhvillimin e Mallakastrës në disa drejtime.
Në një tjetër takim elektoral të zhvilluar me banorët e lagjes “Gllavenica” në qytetin e Ballshit, kandidati i Partisë Demokratike, Agron Kapllanaj është shprehur se në katër vitet e fundit nuk është kryer asnjë investim, ndërsa shqetësues mbetet fakti se flitet vetëm për investime të viteve më parë.
Kapllanaj ka thënë se e motivon puna që ka bërë dhe fjala e mbajtur, ndërsa ka shtuar se në mandatin 2015-2019, qyteti i Ballshit u transformua falë investimeve në rehabilitime, ndërtime dhe rikonstruktime, por sipas tij ka ende shumë punë për t’u bërë.
Në përfundim të fjalës së tij para qytetarëve në lagjen “Gllavenica“, Kapllanaj është shprehur se më 14 maj rikthehen punët për çdo qytetar, i majtë apo i djathtë, me apo pa parti. Ai premtoi se ka një program zhvillimi për Mallakastrën dhe bashkë me qytetarët do ta bëjë realitet.