Më 29 Maj të këtij viti Gjykata e Posaçme mori vendimin që 16 nga 19 të pandehurit për aferën e Inceneratorit të Fierit të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar. Kjo do të thotë se në rast se ata shpallen fajtorë, ulet 1/3 e dënimit të tyre.
Këtë të Hënë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka relatuar konkluzionet përfundimtare për çështjen e Inceneratorit të Fierit.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci bën me dije se SPAK ka kërkuar 6 vite e 8 muaj për ish-ministrin Lefter Koka, 4 vite e 8 muaj për Alqi Bllakon, 2 vite e 8 muaj për Arben Dervishaj dhe 8 vite heqje lirie për Klodian Zoton. Kjo pasi të 4 të akuzuarit kryesorë për këtë aferë, kanë përfituar ulje të dënimit bashkë me 12 të tjerë.
Ndërkohë 3 të pandehurit e tjerë, Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe Guiseppe Cafaglione do vijojnë procesin me gjykim të zakonshëm.
SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është vlerësuar në 60 milionë lekë./tvklan.al