Ballina Kulture Adel, piktorja e duarve dhe energjisë çel ekspozitën në Galerinë e...

Adel, piktorja e duarve dhe energjisë çel ekspozitën në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica”

1

Galeria e Arteve “Vilson Kilica” vazhdon të mbetet një qendër e takimeve të njëpasnjëshme në drejtim të artit vizual. Sa mbaron një aktivitet një tjetër troket dhe mbledh dashamirësit e shumtë të kësaj fushe në qytetin e Fierit.

Copëzat e veprave të piktores Aleda Osmani janë shpalosur në mjediset e kësaj galerie në ekspozitën personale të saj të titulluar “15 Copëza – Adel”, duke sjellë kënaqësi dhe emocione të punëve të saj të realizuara ndër kohë.

Edhe pse në një moshë të re Adel ka provuar një sërë eksperiencash jashtë vendit me çeljen e ekspozitave vetjake me krijimtarinë e saj, por edhe si bashkautore në ekspozita të tjera. Duke iu referuar punës dhe karrierës së saj ndër vite Adela Osmani ka studiuar për Art& Design bachelor, dhe ka vazhduar masterin interior desing (arkitekturë).

Si për shenjë të mirë të karrierës së saj artistike hapin e parë për ekspozitën e parë personale Adel e ka hedhur në qendrën e artit dhe kulturës botërore, Parisin e lakmuar nga çdo artist. Ka qenë prilli i vitit 2002 koha në të cilën ajo do të prezantohej përpara artdashësit parisien me veprat e saj. Po përsëri ajo do të ishte pjesëmarrëse në krahë të artistëve nga e gjithë bota në shtator të po këtij viti me punimet e saj. Kjo ekspozitë është çelur në Carrousel de Louvre.

Si duket viti që jemi aktualisht ka qenë i mbarë për Adelën si artiste pasi do të shënonte ekspozitën e tretë në një tjetër qendër kulturore botërore, këtë herë në Itali në qytetin e Milanos në fund të muajit shtator të këtij viti.

Stacioni i radhës, por për herë të parë në qytetin e Fierit i ka sjellë jo vetëm kënaqësi, por edhe emocione të rralla, pasi arti dhe kritika në këtë qytet është në nivele bashkëkohore. Fieri ka nxjerrë emra të spikatur në këtë fushë të artit.

Adela tashmë ka një lidhje pesëmbëdhjetë vjeçare me artin. Ndoshta ky numër eksperience artistike dhe profesionale dhe titulli i ekspozitës ”15 Copëza – Adel” kanë lidhjen e tyre. Veçanti e krijimtarisë së saj është që në vitet e fundit pikturat janë realizuar përmes duarve dhe energjisë. Përmes kësaj teknike Adel ka synuar që duke pikturuar të përcjellë emocionet apo historitë me dëshirën e madhe për t’i përkthyer në art./Tv Kombi/