“Kur mora vesh se isha shtatzënë më fëmijën tim të tretë, pashë në eko se ishte vajzë. Unë u gëzova shumë por vjehrra me kunatin shprehën pakënaqësinë e tyre që fëmija e tretë është prapë vajzë. Ata më thanë që nëse do ishte djalë edhe do të ngushtoheshim , ndërsa tani që është vajzë, pjesa financiare është shumë e vështirë për ta përballuar. Kunati një herë në kuzhinë më tha ‘ti do të na lësh pa trashëgimtarë’, ndërsa vjehrra pati guximin dhe më dha numrin e një gruaje që bënte aborte si qëmoti.”
Kjo më sipër është historia e Zhulit e përjetuar nën presion të jashtëzakonshëm nga familjarët për të abortuar vajzën e saj të tretë.
Në Shqipëri, aborti selektiv që lidhet me ndërprerjen e shtatzënisë për shkak të gjinisë së foshnjës, vijon të marrë jetë vajzash të palindura duke renditur Shqipërinë në vendin e 11-të në botë dhe ndër të parat në Evropë me raportin gjinor 107 djem me 100 vajza.
“Kjo shifër nuk është krenari për vendin tonë. Raporti gjinor normal sot konsiderohet 105 djem me 100 vajza. Ne jemi në raportin 107,4 djem me 100 vajza. Pra aborti selektiv për fat të keq vijon dhe në disa rrethe është shumë i theksuar,” thotë Emanuela Bello, drejtuese e zyrës së UNFPA në Shqipëri.
Ndonëse raporti gjinor pësoi ulje shumë të lehtë në 5 vitet e fundit, përsëri eliminimi i fetusit femër është shqetësues për një vend si Shqipëria që synon anëtarësimin në BE.
Raporti gjinor në lindje | 2017 | 2022 |
111 djem | 107,4 djem |
“Dëmet e pabarazisë gjinore për një vend janë shumë të mëdha. Shqipëria me këto ritme emigracioni dhe me këto ritme të abortit selektiv do të arrijë shumë shpejt në ditën që meshkujt shqiptarë nuk do të mund të gjejnë më partnere brenda vendit, por duhet të dalin t’i kërkojnë diku në rajon apo edhe më larg.”
Fushata “Tjetër herë me vajzë” përmbylli rrugëtimin njëvjeçar në disa rrethe me prevalencë të lartë të këtij fenomeni përmes një ekspozite, dëshmive dhe bisedave në media me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/