Rektorja e Universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi është shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi mori para për të favorizuar nëpërmjet notave studentët.
Autoritet te bëjnë me dije se gjithashtu ka nisur procedimin në gjendje të lirë për 36-vjeçaren Donalda Laçej, Pedagoge në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’.
Një ditë më parë Ministria e Arsimit pezulloi rektoren Golemi nga detyra.
NJOFTIMI:
DVP Shkodër
Morën para për të favorizuar nëpërmjet notave studentët, shpallet në kërkim rektorja e universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe procedohet penalisht një pedagoge e këtij universiteti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, menjëherë pas publikimit në emisionin investigativ “Stop”, të një rasti korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, të kryer në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasen S. G., 59 vjeçe, banuese në Shkodër, me detyrë rektore e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Vijon puna për kapjen e 59-vjeçares. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. L., 36 vjeçe, banuese në Shkodër, pedagoge në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, këto shtetase shfaqen duke iu marrë studentëve të universitetit, shuma parash, në këmbim të favorizimit të tyre nëpërmjet notave. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive, si dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie që mund të hasin në vijim, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.