Ballina Sport Ronaldo e lë pas dhimbjen, prezanton për herë të parë motrën...

Ronaldo e lë pas dhimbjen, prezanton për herë të parë motrën e binjakut që i vdiq!

3

Cristiano Ronaldo, ylli i Manchester United, ka ndarë me ndjekësit foton e parë të vajzës së porsalindur, pas humbjes së binjakut të saj. Portugezi shkroi në rrjetet sociale se “tani ishte koha për të qenë mirënjohës për jetën” që ai dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez kishin mirëpritur në këtë botë.

Ai nënvizoi se të dy kanë ndjerë “të gjithë dashurinë” nga njerëzit e mbarë botës, që iu është dhënë me dhembshuri qysh kur djali i tyre vdiq. Sulmuesi 37-vjeçar ndau një fotografi në faqen e tij në Instagram, ku shfaqet në shtëpi i rrethuar nga familja.

Ronaldo, i cili tashmë ka një vajzë 4-vjeçare me zonjën Rodriguez, si dhe tre fëmijë të tjerë me nëna surrogato, shkroi: “Shtëpi e ëmbla shtëpi. Gio dhe vajza jonë janë më në fund bashkë me ne. Duam t’i falënderojmë të gjithë për fjalët dhe gjestet e mira”.

Futbollisti përshkroi se sa i prekur ishte nga duartrokitjet një minutëshe të mbajtura gjatë ndeshjes së të martës mes Liverpool-it dhe Manchester United. Tifozët e të dyja skuadrave u solidarizuan me lojtarin dhe duartrokitën në minutën e shtatë, njësoj si numri i yllit portugez.

Disa tifozë të Manchester United thirrën në kor emrin e Ronaldos dhe ngritën fanellën e tij, ndërsa tifozët e Liverpool-it kënduan “You’ll Never Walk Alone” (ju nuk do të jeni kurrë vetëm) dhe trajneri i tyre Jurgen Klopp duartrokiti.

CR7 tha se ai dhe familja e tij nuk do ta harronin kurrë këtë moment respekti dhe dhembshurie. Çifti e përshkroi humbjen e djalit të tyre si “dhimbjen më të madhe që mund të ndiejë çdo prind”.

Pas njoftimit fillestar, tifozët në mbarë botën dërguan mesazhe ngushëllimi dhe mbështetjeje, duke përfshirë një nga ekipi i tij. Llogaria e Manchester United në Instagram postoi: “Dhimbja juaj është dhimbja jonë. Dërgojmë dashuri dhe forcë për ju dhe familjen tuaj në këtë kohë”.