Ballina Lajme Politike 14 maji/ Votimi elektronik në Elbasan, Kamëz e Vorë. Celibashi: Rezultati del...

14 maji/ Votimi elektronik në Elbasan, Kamëz e Vorë. Celibashi: Rezultati del 30 minuta pas mbylljes së votimit

1

Votimi elektronik për zgjedhjet vendore të 14 majit do të zhvillohet në 3 bashki, atë të Elbasanit, Kamzës dhe Vorë. Ky proces i cili garanton fshehtësinë e votës, do të sigurojë gjithashtu marrjen e një rezultati të shpejtë, brenda 30 minutave pasi është mbyllur procesi i votimit.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se në Elbasan do të vendosen 3 zona ku do të kryhet votimi elektronik, në Kamëz do të jenë dy zona dhe në Vorë një zonë.

“Në Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të aplikohet votimi elektronike. Ky sistem ndalon votimin familjar. Përpara makinës mund të paraqitet vetëm një votues. Nëse do të duhet me këshillimin një përfaqësuesi teknik i caktuar nga KQZ do të ndihmohet në procesin e votimit, por pa u identifikuar zgjedhja e votuesit.

Kemi sjellë në Elbasan 3 pika, Kamëz 2 pika dhe në Vorë në një pikë, disa pajisje për të familjarizuar votuesit me këtë proces.  Do të qëndrojnë 3-4 ditë para zgjedhjeve dhe ftoj qytetarët që të testojnë këto pajisje”, tha Celibashi.

I pyetur nëse ky votim do të rezultojë i suksesshëm, Celibashi tha se në 2021 ky votimi elektronik u aplikua në bashkinë Vorë dhe rezultoi pozitiv.

“Në zgjedhjet e 2021 në Vorë ku u aplikuar votimi elektronik rezultoi i suksesshëm, të shohim si do të rezultojë në Elbasan, Kamëz dhe Vorë, por besoj se do të jetë i suksesshëm. Rezultati paraprak për Elbasanin, Kamzën dhe Vorën do e shpallim 30 minuta pasi është mbyllur procesi i votimit”, tha Celibashi.

Lidhur me kërkesën PD për të vendosur emrin e Ilir Metës krahas koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit, Celibashi tha se nuk merret me retorika politike dhe se gjithçka është sipas ligjit.

“Ne kemi marrë vendim në lidhje me këtë. Është në përputhje me Kodin Zgjedhor. Tani ata kanë interesat e tyre politike dhe nuk marr përsipër t’i gjykoj. Adresimi i çdo kërkese të bëhet në përmbajtje të ligjit. Retorikat politike nuk e di sa ndihmojnë”, tha Celibashi.

Sa i përket ankesës së Alibeajt për përdorimin e simboleve të saj nga kandidatët e “Rithemelimit”, Celibashi tha se “akoma nuk është prezantuara një kërkesë nga ana e PD në lidhje me përdorimin e simboleve të saj nga subjektet e tjera.”

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ishte sot paradite në Elbasan së bashku me Ilirjan Celibashi, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile për të parë demonistrimin e pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit elektronik PEVN.

/rtsh.al/