Ballina Lajme 14 maji/ SPAK vendos masën “arrest me burg” për autorin që blinte...

14 maji/ SPAK vendos masën “arrest me burg” për autorin që blinte vota në Kavajë

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me shit-blerjen e votës në zgjedhjet lokale.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, janë krijuar dyshime se shtetasi Klodian Kapedani me banim në Kavajë, në 14 maj, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.58, datë 09.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimi i masës së sigurimit “Arresti në burg” personin nën hetim Klodian Kapedani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policise Tiranë kanë bërë sot arrestimin e Klodian Kapedanit.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.