Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije një tjetër koalicion partish ka dorëzuar kërkesën për t’u regjistruar për zgjedhjet lokale të 14 majit. Bëhet fjalë për koalicionin “Aleanca” me shkronja nistore “AL”. Kërkesa është dorëzuar në KQZ që në datën 15 mars.
Pjesë e këtij koalicioni do të jenë Aleanca Demokratike, Aleanca për Drejtësi dhe Solidaritet, Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane dhe Partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë. Koalicioni do të drejtohet nga Aleanca Demokratike.
Më herët është bërë e njohur se në KQZ janë dorëzuar edhe kërkesat për 2 koalicione të tjera. Më i përfoluri është ai “Bashkë fitojmë”, pjesë e të cilit është Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha si dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës, Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që drejtohet nga Vangjel Dule.
Një tjetër koalicion i regjistruar është edhe ai “Aleanca liberale e djathtë”, pjesë e të cilit janë Partia Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit, Bashkimi Liberal Demokrat i Arian Starovës dhe Partia Bashkimi Demokrat i Ylber Valterit. Dob të jetë KQZ që do të vendosë nëse do të pranojë regjistrimin e këtyre koalicioneve. ©LAPSI.al