Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën shumëemërore të kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak të Partisë Socialiste në 11 bashki për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas administratës së KQZ-së, lista shumëemërore e kandidatëve për anëtarët për këshillin bashkiak për bashkitë, Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Lezhë, Lushnjë, Shkodër, Tiranë, Vlorë, Kamëz dhe Korccë të Partisë Socialiste rezulton se është në përputhje me kriteret e Kodit Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar verifikim për pastërtinë e figurave të kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak duke iu drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Sipas KQZ-së, nga verifikimi paraprak i formularëve konstatohet se kandidatët nuk kanë deklaruar asnjë të dhënë që mund të bjerë ndesh me ligjin mbi integritetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
“Kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nga verifikimi paraprak i këtyre formularëve konstatohet se kandidatët nuk kanë deklaruar asnjë të dhënë që ka të bëjë me parashikimet për ndalimin të ligjit 138 të vitit 2015.
KQZ ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku në përgjigje të kërkesës sonë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ende nuk ka kthyer përgjigje ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dërguar verifikimin e të dhënave për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak për subjektin zgjedhor të Partisë Socialiste të bashkive të mësipërme, dhe konstatohet se nuk përbëjnë kusht për mosregjistrimin në zgjedhje vendore 14 maj 2023”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të administratës së KQZ.
/rtsh.al/