Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bëri sërish sot thirrje partive politike të kenë kujdes me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë duke i kujtuar se zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit mund të ketë pasoja të rënda.
“Eshtë thelbësore që kandidatët që do u paraqiten të jenë individë të përshtatshëm e me integritet që të mund të mbështesin parimet e demokracisë dhe t’u shërbejnë interesave të zgjedhësve. Një kandidat i përshtatshëm zotëron kualifikimet dhe atributet e nevojshme për të mbajtur poste publike. Janë individë që kanë një histori të dëshmuar të sjelljes së tyre etike, integritetit dhe respektit për shtetin e së drejtës.
Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit, veçanërisht në atë penal mund të ketë pasoja të rënda për procesin demokratik” tha Celibashi në tryezën me temë “Mbrojtja e Integritetit zgjedhor në Shqipëri” organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Në fjalën e tij më tej Celibashi theksoi edhe se keqpërdorimi i të dhënave, si një tjetër çështje që mund të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor.
“Shkeljet ose keqpërdorimi i të dhënave mund të dëmtojë qytetarët dhe të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor. Përdorimi i të dhënave mund të çojë në krijimin e profileve digjitale të votuesve që mund të përdoret për t’i targetuar ata me mesazhe të personalizuara politike dhe elektorale. Ky lloj shenjëstrimi mund të jetë ndërhyrës dhe manipulues”, tha ai.
Celibashi vuri theksin dhe tek një media e balancuar në raportimin e procesit zgjedhor.
“Për të siguruar një media të balancuar gjatë fushatës, KQZ monitoron periodikisht sjelljen e tyre dhe sanksionon kur ajo nuk respekton legjislacionin përkatës”