Ballina Lajme Politike 14 maji/Alibeaj: Berisha duhej të ishte larguar prej kohësh, mban peng vendin...

14 maji/Alibeaj: Berisha duhej të ishte larguar prej kohësh, mban peng vendin bashkë me Ramën dhe Metën

1

Gjatë prezantimit të kandidati për kryetar bashkie për zgjedhjet vendore të 14 majit, Leonidha Papa, kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se lideri historik i së djathtës, Sali Berisha do të duhej të ishte larguar prej kohësh nga selia blu.

Sipas Alibeajt, Berisha u shpall nongrata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar dhe në këtë mënyrë sipas tij, ai nuk mund të vijonte të vendoste në rrezik Partinë Demokratike.

Ai vuri në dukje se Berisha-Meta-Rama po mbajnë peng vendin prej 33 vitesh.

“Drejtuesit e vjetër, treshja drejtuese e shtetit shqiptar në 33 vite, se tre veta kanë qenë Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, datojnë që nga viti 1990.

Sali Berisha dhe Ilir Meta hynë në politikë në 90-ën dhe janë ende në politikë. Por unë nuk di lider në Europë sot që të jenë ende.

Kanë ikur kryeministra në Gjermani, Itali, Francë e kudo, kanë ikur nuk janë më në skenë politike. Vetëm këtu janë ende. Edi Rama ka në pushtet pa lëvizur fare, që në 1998-ën. 1998-2023 ka bërë pushim vetëm një vit e gjysmë”, u shpreh Alibeaj.

Sipas Alibeajt, treshja e politikës e ka mbyllur sistemin duke bërë që shqiptarët të votojnë një herë njërin dhe një herë tjetrin, duke i lënë shqiptarët pa alternativa të tjera.

“Kjo treshe që ka qenë lart, e ka mbyllur sistemin. I detyroi shqiptarët që të votojnë, herë njërin, herë tjetrin, herë tjetrin, pa alternativë tjetër.

Ndaj, për këtë arsye Partia Demokratike bëri atë ndarjen sot, e them unë, të dhimbshme për të ofruar një alternativë, jashtë korrupsionit.

Në qoftë se e pranojmë të gjithë, shoqëria shqiptare e pranon se sëmundja më e rëndë sot e shtetit shqiptar është korrupsioni, alfa është që ne të distancohemi nga çdo njeri i cili mbart në kurrizin e vet gjurmë korrupsioni”, theksoi Alibeaj.

Alibeaj u shpreh se në 14 maj shqiptarët duhet të vendosin me votë për të ndëshkuar klasën e vjetër politike që mban peng zhvillimin e vendit.